EuroPartizani me pushime, Botevi jo! Bullgarët dominojnë në Tiranë!

Mund edhe të humbasësh, mundet edhe të të zhgënjesh, por këtë herë Partizani i bëri të dyja me tepri në Ligën e Europës. Në “Selman Stërmasi”, skuadra shqiptare pësoi një humbje të rëndë, thuajse eleminuese ndaj Botevit të Plovdivit, edhe pse kaloi e para në epërsi. Fare mirë mund të thuhet se të kuqtë ishin ende me pushime ndërsa bullgarët jo, duke u treguar më shumë profesionistë sesa shqiptarët, edhe në këtë vapë të fundit të qershorit.

Përfundimi 3-1 nuk i jep shumë mundësi Partizanit që të përmbysë shifrat në Bullgari, edhe pse ndoshta trajneri Starova mendon se ka ende ndonjë shans. Ironikisht, përpara takimit, Starova hodhi poshtë mundësinë e ardhjes së trajnerit Mladen Milinkoviç tek Partizani, duke thënë se nuk është i përshtatshëm. Në një farë mënyre, u shpreh se “këtu ku jam unë, nuk vjen ai”, ndonëse e la të hapur mundësinë që të largohet nga stoli dhe të bëhet përsëri këshilltar i presidentit Demi. Ndoshta, me rezultatet e dobëta në Europë, Demi mund të vendosë shkarkimin e trajnerit, dhe të zgjedhë një tjetër sipas mendjes së tij dhe sipas këshillës së Luçiano Moxhit.

Duke u kthyer tek ndeshja, Partizani kaloi i pari në epërsi me golin e Sukajt në minutën e 5-të, por Botevi nuk u trondit aspak dhe luajti më mirë. Barazoi me anë të Kosokos në 27’, dhe pastaj kaloi në epërsi në pjesën e dytë (62’) me golin shumë të bukur të Nedelevit. Në fund, në minutën e 87-të, Atanda bëri një gabim të madh duke humbur topin, dhe nga kjo përfitoi Kosoko që shënoi edhe golin e tretë.

Sfidanti.al