Basketbolli i meshkujve ka një “mbret” të ri në kontinentin e vjetër, dhe Turqia ka skuadrën e dytë që ia del. Anadolu Efes realizoi mrekullinë në Arenën e Këlnit në Gjermani duke mundur Barcelonën 86-81 në finale, në krahët e dy yjeve të saj Vasilije Miçiç dhe Shejn Larkin. Klasi i kësaj dysheje ishte më shumë sesa mund të bënte skuadra katalanase e trajnerit Jasikevicius, edhe pse kishte në përbërje dy ish-legjenda të NBA-së si Pau Gasol dhe Nikola Mirotiç.
Serbi Miçiç pati 25 pikë, 3 topa në tabela, 5 asistë e 3 vjedhje topi, shifra të denja për në NBA. Amerikani Larkin pati 21 pikë, 2 topa në tabela, 3 asistë e 2 vjedhje topi, ndërsa të dy bashkë realizuan më shumë se gjysmën e pikëve të ekipit turk të drejtuar nga trajneri Egin Ataman. Barcelona kryesoi në periodën e parë, 22-15, por në dy periodat e tjera mbeti prapa. Luftoi në të katërtën, por përveç barazimit 69-69 nuk mundi të bënte dot më shumë. Kori Higins shënoi 23 pikë, Brendon Dejvis pati 17 pikë e 11 topa në tabela, ndërsa Mirotiç u kujtua të luante vetëm 10 minutat e fundit dhe arriti në 11 pikë e 9 topa në tabela. Ky ishte titulli i parë për Efesin, ndërsa Barcelona nuk e fitoi dot të tretin. Olimpia e Milanos mori vendin e tretë pasi mundi në finalen e vogël CSKA-në e Moskës, 83-73.
Sfidanti.al