Etrit Berisha nuk mjafton, Ikardi me shokë janë anti-Napoli!

Gjithë këta vite Italia ka vuajtur për të gjetur një anti-Juventus. Këtë sezon për herë të parë po flitet për një anti-Napoli dhe për momentin, nuk është Juventusi zgjedhja e parë, por Interi. Këtë “medalje”, zikaltërit e fituan pas një suksesi të arritur me djersë ndaj Atalantës, pra edhe ndaj Etrit Berishës. Portieri i kombëtares shqiptare i bëri pritjet e tij, fillimisht në minutën e 25-të, vetëm për vetëm me Ikardin, dhe pastaj në 47’, sërish i vetëm me kapitenin interist.

Ikardi, gjithsesi, nuk deshi ta humbiste këtë duel. Sulmuesi argjentinas, i rritur shumë këtë sezon, shënoi në minutën e 51-të, kur me kokë u tregua i saktë pas krosit të Kandrevës. Ikardi shënoi edhe golin e dytë në minutën e 60-të, dhe sërish me kokë. Ky sukses bëri që Interi të ngjitet në kuotën e 33 pikëve, e vetme në vend të dytë, me 2 pikë më pak se Napoli. Sa për Ikardin, ai është i dyti në renditjen e shënuesve, me 13 rrjeta, ndaj 15 të Çiro Imobiles së Lacios.

Sfidanti.al