Le ta lemë Ksavin të qetë, pasi ai do të bëhet trajner i Barcelonës kur ta ndjejë veten gati. Apo, kur ndonjë kandidat për president ta bindë për të ardhur. Për momentin, katalanasit e kanë trajnerin dhe ky duket një personalitet që bind edhe ata që nuk e duan aq shumë. Ronald Kuman u tregua me të vërtetë trajneri gjatë ndeshjes ndaj Vijarrealit, pasi skuadra kishte marrë fytyrën që deshi holandezi, me ndryshimin e vendosur taktik të zbatuar gjatë 90 minutave. Po ashtu, Kumani pati autoritet në mënyrën e qendrimit në vijën anësore, si dhe në leximin e mirë të ndeshjes duke bërë zëvendësimet. Pedri e Trinkao hynë në fushë për Kutinjon e Grizmanin, ndërsa Dembele do të ketë minuta, dhe Pjaniç do të konkurrojë me Busketsin. Kumani po tregohet i ndershëm me lojtarët, duke i thënë Ansu Fatiut se luajti shumë mirë ndaj Vijarrealit, siç i tha se luajti keq në një ndeshje përgatitore më herët. Mesi duket i kënaqur me sistemin taktik 4-2-3-1, ku ai është fillimisht qendërsulmues, por duke ndërruar vendet me Grizmanin. Kjo ishte vetëm ndeshja e parë, por u duk ogur i mbarë duke pasur parasysh se çfarë problemesh të mëdha kishte Barcelona përpara saj.
Sfidanti.al