Ëndrra e madhe e Etrit Berishës, pse jo në Champions me Atalantën?!

Kur nis një kthesë të fortë në një ligë të madhe, përse të mos mendosh për gjëra të mëdha? Në këto “ujëra” është edhe Etrit Berisha, portieri i kombëtares shqiptare, që arriti një tjetër fitore në Serinë A me Atalantën. Pasi i “bëri gjëmën” Interit, skuadra nga Bergamo “varrosi” edhe Lacion, madje duke e “pushkatuar” që në minutën e parë.

Goli i Duvan Zapatës bëri që të fitohej ndeshja 1-0 dhe që Atalanta të ngjitej në kuotën e 24 pikëve, mu në mes të skuadrave që luftojnë për vendin e katërt, pra për kualifikim për në Champions. Ekipi i Berishës dhe i trajnerit Gasperini ka 7 fitore e 3 barazime në 16 javë, dhe një golaverazh shumë pozitiv, 30-20, pra ka shënuar më shumë sesa Interi, Roma, Milani dhe Lacio.

Vetë Berisha është rikthyer titullar, pra njëri nga protagonistët kryesorë, ashtu si sezonet e kaluara dhe vlerësimet nuk mungojnë. Portieri shqiptar nga Kosova provoi Ligën e Europës, ndërsa tani shpreson të shijojë Championsin. Mbrëmjen e djeshme, ai fitoi duelin brenda kombëtares, me portierin tjetër, Tomas Strakoshës, që ishte titullar në portën e Lacios.

Sfidanti.al