Ende s’ka fitues lufta tek Barcelona, largohet Mesi apo Bartomeu?!

“Bomba” e madhe plasi, legjenda e futbollit të sotëm arriti deri në zgrip, duke bërë si kërkesë atë që ngjante si e pabesueshme, largimin nga Barcelona. Lionel Mesi, kapiteni dhe simboli, njeriu që ka në trupin e tij ADN-në e klubit “blaugrana”, që ka shënuar mbi 630 gola për katalanasit, dhe që ka fituar me ta 33 tituj të mëdhenj në Spanjë, Europë dhe në botë, mund të mos jetë sezonin e ardhshëm në “Kamp Nou”. Nëse të gjitha mediat spanjolle dhe kontinentale, pse jo edhe planetare, nuk do ta kishin dhënë lajmin me tituj të mëdhenj e me fakte bindëse, askush nuk do ta kishte besuar.

Mesi ka bërë kërkesë zyrtare për t’u larguar me parametrin zero, dhe po në mënyrë zyrtare Barcelona i ka kërkuar që të qendrojë. Kjo kërkesa e dytë është një copë letër që nuk vlen për askund, ndërsa nëse do të këmbëngulë për të marrë shumën prej 700 milionë eurosh sipas klauzolës, atëherë turpi do të ishte aq i madh sa nuk do të kishte ku të rrinte.

Gjithsesi, beteja në “Kamp Nou” nuk ka përfunduar, madje është larg të përfunduarit. Me gjasë, tifozët do të ngrihen në kryengritje ndaj presidentit Bartomeu dhe asaj që po e quajnë “klika e tij”. Njerëz të fuqishëm po sulmojnë presidentin, ndërsa ish-kapiteni Pujol i doli në krah Mesit. Mësohet se Ksavi Hernandez nuk pranoi të vinte si trajner pikërisht për shkak të Bartomeut. Laporta, ish-presidenti i famshëm, deklaroi se Barcelona ka rënë në duar të këqia, ndërsa ish-drejtuesi Font kërkoi dorëheqjen e Bartomeut. Pati lajme se presidenti ishte dorëhequr, por ai vetë i hodhi poshtë.

Sfidanti.al