Elseid Hysaj: Ndaj Napolit duhet luajtur me zemër, e meriton titullin!

Ka qenë pjesë e kësaj skuadre dhe për pak ia ka dalë. Elseid Hysaj luajti një jetë për Napolin, skuadrën më romantike të Italisë, duke qenë ndër më të mirët e epokës së trajnerit Mauricio Sarri, por tani do të duhet të kthehet si kundërshtar në ish-shtëpinë e tij. Pasi iu afrua titullit me napolitanët në 2018, ai u bashkua sërish me trajnerin e tij, Sarrin, këtë herë tek Lacio, dhe pikërisht mbrëmjen e sotme do të ketë përballjen emocionuese me të kaluarën. Në orën 20:45, kryeqytetasit do të luajnë ndaj Napolit në Serinë A në stadiumin “Maradona”. Në intervistën  për televizionin e klubit, mbrojtësi shqiptar pyetet nëse do të duhet guximi për t’ia dalë.

“Po, patjetër që duhet kurajë, por edhe besim tek vetja. Napoli është një skuadër e fortë, por tregon shumë gjëra. Vetëm me guxim dhe mentalitetin e duhur mund t’ia dalim. Në një nivel të tillë duhet luajtur me zemër, pasi nuk mjafton vetëm rreshtimi taktik. Duhet të besojmë tek cilësitë tona, që mund ta vendosin Napolin në vështirësi edhe në stadiumin e tij”. Hysaj ka luajtur për shumë vite në Napoli, dhe e njeh mirë atë ambient, ndërsa duket se ekipi po shkon drejt titullit për herë të parë që nga koha e Maradonës.

“Tek Napoli ka vite që po ndodhin ndryshime. Kanë ndryshuar shumë gjëra. Kujtoj që kur isha unë, arritëm shumë pranë titullit, por nuk ia dolëm. Mendoj se gjithë këto vite e kanë ndihmuar që të krijojë përvojën e duhur për të fituar tani. Janë në lartësinë e duhur, kanë diferencë të madhe me ndjekësit. Gjithsesi, edhe ne tek Lacio po bëjmë diçka ndryshe nga vjet. Më shumë taktikë, më shumë lojë sulmuese dhe shpresoj që edhe ne dalë nga dalë të arrijmë në këtë nivel”. Napoli kryeson Serinë A me 65 pikë, ndërsa Lacio është e katërta me 45.

Sfidanti.al