Një gjendje thuajse e jashtëzakonshme kërkon masa thuajse të tilla. Klubi i Futbollit i Barcelonës ka vendosur të bëjë të pamundurën që “El Klasiko” të luhet në siguri të plotë, që nga mbërritja e Realit në Katalonjë, e deri në largimin e tij për në Madrid. Mediat spanjolle njoftojnë se Barça do të vendoset në Hotelin “Mbretëresha Sofia”, jo shumë larg “Kamp Nout”, një hotel ku dendur qendrojnë ekipet mike. Në të njëjtën ndërtesë do të jetë edhe Reali, pra futbollistët kundërshtarë do të ndajnë ambiente thuajse të përbashkëta, edhe pse mund të jenë në kate të ndryshëm.
Po ashtu, nisja dhe mbërritja për në “Kamp Nou”, e Barçës dhe e Realit, do të jetë në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën rrugë. Itinerari i përbashkët pritet të ndihmojë forcat e sigurisë për ta bërë më lehtë dhe me më shumë sukses punën e tyre. Gjendja në Katalonjë nuk ka qenë aspak e qetë që pas dënimit me burgime të gjata të disa politikanëve katalanas, që morën pjesë në referendumin për pavarësi nga Spanja. Rreth 18 000 njerëz pritet të protestojnë ditën e “El Klasikos”, pra të mërkurën, ndaj edhe shqetësimi është i madh.
Sfidanti.al