Eh, dihej si do përfundonte, Ikardi tek PSG për 70 milionë! Po Nejmar?!

Pikat mbi “i” u vendosën dje nga Bepe Marota dhe Antonio Konte. Interi bëri gjithçka të qartë për fatin e Ikardit, një ditë para mbylljes së transferimeve në Europë, me administratorin e deleguar që tha se “pas të hënës do të jemi më konkretë për këtë çështje”, dhe me trajnerin që nuk ngurroi aspak, por theksoi se “me Ikardin, nëse mbetet tek Interi, do të ndodhë ajo që ka ndodhur deri tani”.

Nuk qe nevoja të shtohej ndonjë fjalë tjetër, ndërsa e hëna solli “tymin e bardhë”. Mauro Ikardi dhe e shoqja do të largohen nga Milanoja e tyre e dashur, për në një qytet tjetër të madh, edhe më të shkëlqyer, në Paris. Ish-kapiteni zikaltër do të jetë pjesë e Paris SG, dhe klubi francez do të paguajë plot 70 milionë euro për kartonin e tij. S’ka huazim, as “burgosje” në Lombardi, por vazhdim karriere në nivele të larta, veçse duke pranuar humbjen. Mund të thuhet se Interi sot “ka zot”, ka Marotën dhe Konten, ndaj as presidenti nuk mund të prishë projektet. Tani mbetet të shihet se çdo të ndodhë me Nejmarin, pasi tek PSG-ja ka “një tufë” me sulmues.

Sfidanti.al