Edi Reja kërkon “magji janari” për Asllanin, Kumbullën e Brojën!

Nuk ka pasur më parë një potencial të tillë. Kombëtarja shqiptare mund të paraqesë në fushë një grup të tërë me emra që luajnë në ligat e rëndësishme, që nga Broja, Strakosha, Asllani, Bajrami, Hysaj e deri tek Bare e Uzuni, veçse disa prej tyre janë vërtet në një udhëkryq. Trajneri kuqezi, Edi Reja, e thekson sidomos këtë fakt në intervistën që jep me median e vendit të tij, “tutomerkatoueb”, në prag të miqësores pikërisht me Italinë. Ai flet fillimisht për Asllanin dhe Kumbullën.

“Asllani ka nevojë për të luajtur, – thotë tekniku, – Diskutimi im këtë herë është egoist, po flas si trajner i Shqipërisë. Shpresoj që ai dhe Kumbulla në janar të kenë mundësi të jepen hua për të pasur më shumë hapësirë”. Gjithsesi, media italiane thekson se ylli i ri i Shqipërisë është Armando Broja. “Ka një potencial të madh, – pohon ai, – Është një lojtar i formuar fizikisht, 1.90 metra shtatlartë. Ka teknikë dhe shpejtësi të madhe, kur shpërthen nuk e ndalon dot askush. Por, ai ka vetëm një fazë, atë me top. Duhet të përmirësohet pa top, sepse kur përfundon aksioni sulmues ndihmon pak. Në këtë aspekt, këtë vit është përmirësuar disi, por fakti që luan 20 apo 30 minuta për ndeshje nuk e ndihmon”.

Reja thotë se ka folur me lojtarët për mungesën e aktivizimit, dhe pohon se ata nuk janë të lumtur, por për momentin kjo situatë nuk mund të ndryshojë. Padyshim, tekniku 77-vjeçar nuk mund të mos fliste për miqësoren me Italinë. “Kur luan ndaj Italisë motivimi është i madh, – vlerëson veterani, – Ka pritshmëri të madhe nga publiku, pasi shqiptarët e ndjekin futbollin italian dhe i njohin skuadrat. Shqipëria është mjaft e ngjashme me Italinë në këtë kuptim, dhe ndeshja duhet të jetë festë. Shpresoj të dalë një lojë e bukur dhe uroj që Shqipëria të paraqitet mirë. Nuk flas për rezultatin, por për paraqitjen e duhur”.

Sfidanti.al