Nuk janë “dorë e parë”, siç thuhet në këto raste, por gjithsesi janë goditje në shenjë. Juventusi realizoi dy përforcime të rëndësishme, ndërsa në Torino, pas Angel Di Marisë mbërriti edhe Pol Pogba. Mesfushori francez, kampion i botës në fuqi, mbërriti në aeroport i pritur nga entuziazmi i tifozëve, ndërsa brohoritjet arritën kulmin kur u paraqit në kompleksin stërvitor për të kryer vizitat mjekësore. Pogba, 29-vjeçar, mbërrin me parametër zero pasi përfundoi kontratën me Mançester Junajtidin, e padyshim që do të pranojë një ulje rroge për të luajtur sërish me ekipin ku shkëlqeu disa vjet më parë.
Një ditë përpara tij, tek “Zonja e Vjetër” erdhi Di Maria, me argjentinasin që gjithashtu përfundoi kontratën tek Paris SG. Futbollisti ofensiv pati disa oferta, por në moshën 34-vjeçare vendosi të provonte Serinë A dhe Europën edhe për një sezon përpara sesa të kthehet në Argjentinë. “Që nga momenti që thashë “Po”, gjithçka është kthyer në një familje, – u shpreh Di Maria në intervistën e parë për televizionin e klubit, – e shoh që të gjithë janë shumë të dashur me mua dhe jam i lumtur. Unë kam qenë në çdo vend të rëndësishëm të Europës, në ekipin më të mirë, dhe më mungonte Italia. Ekipi më i madh këtu është Juventusi dhe unë erdha me shumë dëshirë”.
Edhe pse flitet për yje që nuk janë preferuar më në Premier Ligë dhe në Francë, sërish Pogba e Di Maria pritet ta ndihmojnë shumë Juventusin. Ata do të bashkohen menjëherë me skuadrën e trajnerit Alegri që ka nisur fazën përgatitore, ndërsa pritshmëria është e madhe duke pasur edhe sulmuesin Vlahoviç dhe Kiezën e kthyer nga dëmtimi i gjatë. Edhe largimi i De Ligtit në mbrojtje pritet të kompensohet nga senegalezi Kulibali që besohet se do të vijë nga Napoli, dhe Juventusi mendohet si rival për titull me Milanin e Interin.
Sfidanti.al