Edhe arbitri e ndihmon Bajernin të mbetet i pathyeshëm!

Ishte minuta e 96-të e ndeshjes në Berlin, dhe Bajerni duhej të ekzekutonte një goditje dënimi. Gjyqtari kishte sinjalizuar pesë minuta shtesë, por lejoi të luhej edhe aksioni i fundit që solli …barazimin. Robert Levandovski shpëtoi bavarezët dhe Karlo Ançelotin në fushën e Hertës, dhe kampionia e Gjermanisë nuk humbet në asnjë aktivitet që nga nëntori. Përfundoi 1-1 në stadiumin “Olimpik” të kryeqytetit gjerman, pasi Herta kishte kaluar në avantazh në pjesën e parë me anë të sulmuesit boshnjak, Vedat Ibisheviç.

Bajerni mbetet i shkëputur nga rivalët, pasi ka 50 pikë ndaj 42 të Lajpcigut që edhe mund të afrohet nëse e fiton ndeshjen e tij të radhës, që e luan nesër. Në vendin e tretë në Bundesligë është ngjitur Dortmundi që pati epërsi të plotë ndaj Volfsburgut. Në “Signal Iduna Park” përfundoi 3-0 me autogolin e Brumasë, dhe golat e Pishçekut dhe Dembelesë. Dortmundi, që u mund në mesjavë në Champions, ka 37 pikë, po aq sa Hofenhajmi që gjithashtu fitoi, 2-0 në fushën e vet me Darmshtatin.

Rezultatet e javës 21: Herta-Bajern 1-1, Dortmund-Volfsburg 3-0, Hofenhajm-Darmshtat 2-0, Mainc-Verder 1-2, Ajntraht Frankfurt-Ingolshtat 0-2.

Renditja: Bajern 50, Lajpcig 42 (-1), Dortmund 37, Hofenhajm 37, Frankfurt 35, Herta 34 etj.

Sfidanti.al