Dikur ka qenë një pjesë humoristike e Estradës së Tiranës ku një ndërmarrje po diskutonte në mbledhje sesa gola duhej të shënonte në një ndeshje të kampionatit lokal. Nuk dihet sesa gola u premtuan dhe u kërkuan aty, por padyshim që u bë si basketboll, ndërsa një diskutim të tillë duket se po e bëjnë organizatorët e Kupës së Botës në Katar kur japin të dhënat për spektatorët për ndeshje. Edhe pse stadiumet janë gjysmë bosh, sërish ata informojnë se tifozët ishin mbi kapacitetin e impianteve. Kështu ndodhi me ndeshjen e parë, Katar-Ekuador, kur u dhanë mbi 67 000 të pranishëm në një stadium me 60 000 vende, apo në Senegal-Holandë ku u dhanë mbi 41 000, ndërsa stadiumi mbante 40 000.
Gjithsesi, të vërtetat e Katarit për tifozët nuk janë më të mëdha sesa ato të rivalitetit për titull në Superligë, apo për emërimin e trajnerëve. Jehona nga organizatorët e Superligës është që dueli për titull është shumë i fortë mes Tiranës, Partizanit e ndoshta Vllaznisë, se Egnatia po bën “namin”, ndërsa “gojët e liga” thonë se titulli ka nisur që tani të lyhet me bojë të kuqe, dhe se “kërcasin” telefonatat dhe dhuratat për arbitrat. Le të mos flasim për telefonatat për emërimin e trajnerëve, për t’i bërë nder … shoqërisë, që zakonisht është shumë problematike, apo siç e themi ne në Shqipëri, janë “të fortët” e qyteteve.
Sfidanti.al