FIFA kthen futbollin në basketboll, 64 minuta shtesë në vetëm 4 ndeshje!

Ky turne padyshim që do të hyjë në histori. Gjithsesi duket se do të ketë disa arsye se përse Kupa e Botës në Katar do të konsiderohet si e veçantë, dhe njëra prej tyre është minutazhi shtesë i dhënë gjatë ndeshjeve. Vetëm në dy ditët e para, kur u luajtën 4 sfida, pati plot 64 minuta të akorduara përtej kohës së rregullt, pra më shumë se një orë. Kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë më parë. Rekordi u arrit në përballjen e Anglisë me Iranin, kur u dhanë 27 minuta shtesë. Kjo për shkak të dëmtimit të portierit të Iranit, për të cilin u desh kohë që të dilte nga fusha, si dhe të dëmtimeve dhe zëvendësimeve të Harri Kejnit e Harri Megajerit të Anglisë.

Përse një situatë e tillë? Ish-arbitri i shquar italian, Pierluixhi Kolina, sot president i komitetit të arbitrave të FIFA-s, sqaron se rregullorja e re e krijuar për Botërorin synon të shtojë kohën efektive në ndeshje. Ai thotë se nuk duhet të ketë përballje me vetëm 43 apo 44 minuta lojë të vërtetë. Për këtë qëllim janë llogaritur si vonesa dëmtimet, zëvendësimet, festimi i golave dhe shqyrtimi i rasteve të dyshimta me VAR. Kjo gjë duket se po e kthen futbollin në një lloj basketbolli.

Sfidanti.al