Teuta shkon nga Martini tek … Martini, kthimi i tretë i shkodranit në stol!

Në atë kohë festa ishte e madhe, veçse situata është e përmbysur. Teuta u shpall kampione e Shqipërisë në 2021, pas një sezoni me rivalitet të madh dhe në stolin e ekipit ishte Edi Martini. Trajneri shkodran pati probleme sezonin pasardhës dhe u largua, por tashmë do të duhet të kthehet. Kjo sepse Teuta, krejt ndryshe nga vitet e fundit, është në pozita tepër të dobëta dhe rrezikon të bjerë nga kategoria. Për këtë qëllim, presidenti Edmond Hasanbelliu, mori vendimin për të larguar trajnerin Bledi Shkëmbi me shpresë për të ndryshuar situatën.

Martini ka qenë i paangazhuar që prej kohës kur u kthye për herë të dytë në stolin durrsakt edicionin e kaluar, pra kjo do të jetë mbërritja e tij e tretë në stadiumin “Niko Dovana”. Gjithsesi, shkodrani do të gjejë një ekip shumë të ndryshëm në krahasim me dy vjet më parë kur fitoi titullin duke ia dalë në konkurrencën me Vllazninë, Partizanin e Laçin. Këtë vit, Teuta vërtet është në rrezik të madh dhe mund të ndodhë edhe që të bjerë nga elita e futbollit shqiptar për në Kategorinë e Parë, siç ka ndodhur me disa ekipe këto kohë si Tirana, Vllaznia, Dinamo apo Flamurtari.

Sfidanti.al