E padëgjuara ka ndodhur, Bajerni dështon të marrë yllin gjerman!

Aftësia e Bajernit të Mynihut për të marrë talentet më të mirë të futbollit gjerman ka bërë që klubet e Bundesligës t’u dalë në ëndërr klubi bavarez. i fundit që provoi në kurriz “makutërinë” e bavarezëve ishte Dortmundi, nga të cilët u larguan lojtarë të tillë klasi si Robert Levandovski dhe Mario Gëce, apo Shalke, së cilës iu morr portieri Manuel Nojer.

Gjithsesi, diçka e padëgjuar paska ndodhur dhe Bajerni paska humbur shansin për të marrë atë që quhet si talenti më i madh i momentit në Gjermani. Flitet për Timo Vernerin, 21-vjeçarin që pasi shkëlqeu me Shtutgartin, kaloi në 2016 tek Lajpcigu për 10 milionë euro. Shifër tipike e Bundesligës, pasi në La Liga, Premier Ligë apo Serinë A, mund të kishte kushtuar të paktën 3 apo 4 fish më shumë.

Verner ishte autor i një goli në barazimin e Gjermanisë ndaj Francës në Këln, dhe ka deri tani 7 rrjeta në vetëm 10 ndeshje për kampionët e botës. Ai shënoi 21 gola në 31 takime në 2016-2017 në Bundesligë për Lajpcigun, duke qenë golshënuesi kryesor gjerman i kampionatit. Trajneri i tanishëm i Bajernit, Jup Hajnkes, e qortoi klubin e tij që nuk e mori Vernerin pikërisht në 2016, por ia la Lajpcigut. “Bajerni duhej ta kishte marrë Vernerin prej vitesh, dhe vetë lojtari do të kishte përfituar shumë këtu”, – ishin fjalët e trajnerit veteran.

Sfidanti.al