Duhej të ndodhte edhe kjo! Anglia njihet si vendi ku ministra e deputetë shkojnë në punë me biçikletë apo patina, ku kryetari i Laburistëve, Korbin, shpenzon aq pak sa një varfanjak apo ku ministri kërkon dorëheqjen sepse vonohet disa minuta në parlament. Është edhe vendi i lojës së ndershme, ku refuzohet penalltia kur nuk duket e drejtë, apo gjuhet qëllimisht jashtë, por gjithsesi, duhej të ndodhte edhe diçka tjetër.
Liverpuli ka denoncuar në polici futbollistin e tij më të mirë, Mohamed Salahun, pasi një tifoz e kishte filmuar duke folur në celular, ndërsa ishte në timonin e Mercedesit të tij, i rrethuar nga tifozë fëmijë pas fitores 4-0 ndaj Uest Hemit.
Klubi fillimisht bisedoi me sulmuesin egjiptian, pastaj njoftoi policinë. Në Mbretërinë e Bashkuar është shkelje ligji kur flet në telefon në timon, qoftë edhe në semafor të kuq apo kur je në trafik. Gjithsesi, Liverpuli dhe Salahu e dinë se ai thjesht mund të gjobitet deri në 200 paund stërlina, apo t’i hiqen 6 pikë nga patenta.
Sfidanti.al