Reali i mposhtur nga Leganjes është një tronditje e vërtetë, por Mançester Siti i eleminuar nga Uigan Athletiks do të quhej një “herezi” edhe për ta menduar. Gjithsesi, flasim për Kupën e Anglisë, që nuk pyet për “herezi” apo “shenjtëri”, një kompeticion “pa din e iman”, dhe ku “këmbët ngrihen e i bien kokës”.
Uigan Athletiks është skuadër e kategorisë së tretë, por mposhti pikërisht ata që mund të quhen më të fortët e Europës, duke shkuar vetë në 8 më të mirët e Kupës së Federatës. Një irlandez i quajtur Uill (me siguri Uilliam) Grig ishte “fajtori” për rënien e “perëndive” të Pep Guardiolës, me golin që shënoi 10 minuta para fundit.
Pesë vjet më parë ishte sërish Uigani që eleminoi Man. Sitin nga Kupa, me një gol të shënuar nga Ben Uatson, madje bardheblutë shkuan deri në finale dhe e fituan Kupën. Në atë kohë, sidoqoftë, ishin skuadër e Premier Ligës, ndërsa tani janë në kategorinë e tretë.
Për Guardiolën dhe Sitin u shkërmoq ëndrra për të fituar katër trofe, ndërsa mbetet Premier Liga, Championsi dhe Kupa e Ligës ku skuadra e “qytetarëve” është në finale. Disfata me Uiganin erdhi vetëm pak ditë pas suksesit të madh 4-0 në fushën e Bazelit në Ligën e Kampionëve, pra ishte një tronditje e plotë.
Sfidanti.al