Aq shumë ka treguar variante të ndryshme të historisë, saqë tani De Biazi ka filluar ta besojë plotësisht, se pikërisht ai ishte kandidatura e parë për pankinën e Italisë, madje sipas tij, i kanë bërë padrejtësi që nuk e kanë përzgjedhur fitues. Në një intervistë të fundit për Rai Sport, trajneri i Kombëtares tonë deklaroi, se nëse nuk është ai drejtuesi i katër herë kampionëve të Botës, kjo ka ndodhur për shkak të ndërhyrjeve të jashtëve në Federatë. “Unë kam folur më pas me presidentin Tavekio – citohet të ketë thënë De Biazi – dhe ai më ka thënë që ishte jashtë mundësive të tij, zgjedhja ime në stolin e Italisë”. Madje tekniku shkoi edhe më tej, kur tha se në Federatën Italiane të Futbollit ka aq shumë ndërhyrje nga lart, saqë edhe vetë kryeministri Renci ka qenë i përfshirë.
Ndërkohë që të gjithë e mbajnë mend, se në fund të fazës përzgjedhëse për pasuesin e Antonio Kontes, balotazhi ishte midis Venturës, edhe ai ai ish-trajner i Torinos, ashtu si dikur De Biazi, por që e çoi skuadrën “granada” në Europa League dhe Montela, ky i fundit aktualisht po ringjall Milanin. Dhe në fund fitoi profesori (nofka e Venturës). Por çfarë po bën trajneri 68 vjeçar, përveç misionit të vështirë për të kualifikuar Italinë në Botërorin “Rusi 2018”. Xhampiero Ventura ka marrë përsipër edhe gjetjen e futbollistëve të perspektivës, të cilët do t’i japin më shumë forcë dhe fantazi skuadrës së tij dhe që nga e hëna do të fillojë një grumbullim me të gjithë futbollistët premtues, të njohur dhe të panjohur (duke përfshirë edhe disa që luajnë në Serinë B), për t’i bërë të gjithë të ndjehen sa më parë ekipit Kombëtar. Ndërsa po ta pyesësh De Biazin, se përse nuk ndjek asnjë ndeshje të kampionatit tonë, përgjigjia është po e njëjta: “Kam blerë “Digitalb”, e shoh nga shtëpia në Itali”.