Janë disa kandidatët për ta pasuar. Edi Reja, ashtu siç wshtw konfirmuar më parë, nuk pritet të rinovojë kontratën me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), ndërsa “harta” për trajnerin e ri kuqezi është e ngushtë, por jo e përqëndruar në një vend të vetëm. Njeriu i ri i stolit të kombëtares do të jetë nga Kroacia ose nga Italia, ndërsa burime në Federatë pohojnë se “flitet për trajner nga një vend pranë nesh”, ndërsa kandidatët mund të jenë 3 ose 4. Thënë kjo, asgjë tjetër nuk dihet për emrat konkretë pasi vendimi është ekskluzivisht i Dukës, madje sipas statutit, pa u këshilluar aspak me Komitetin Ekzekutiv. Jo vetëm kaq, por konfirmohet që Duka nuk mendon ende për një trajner shqiptar, ose të paktën jo një trajner nga Shqipëria.
Burime pranë tij pohojnë se kreu i Federatës dyshon që një teknik nga vendi ynë të ketë autoritetin mbi yje të tillë si Broja, Asllani apo Uzuni. Kjo, sipas këtyre burimeve përfshin edhe Ilir Dajën, që ka arritur suksese edhe në Europë me Skënderbeun dhe FC Ballkanin e Kosovës. Nuk dihet qartë nëse Duka mund të mendojë për një trajner shqiptar që punon dhe jeton jashtë si ish-kapiteni kuqezi Besnik Hasi. Pasardhësin e Rejës mund ta mësojmë vetëm në dhjetor, ndërsa italiani drejton ekipin për miqësoret në Arabinë Saudite në 26 tetor, ndaj Italisë në 16 nëntor në “Arenën Air Albania”.
Sfidanti.al