Edhe trajneri i Njukasëllit të sheikëve qenka ofenduar nga “kunji” i Klopit për Sitin!

Edi Houi (Howe) është treguar një teknik i suksesshëm këtë vit dhe nën drejtimin e tij, ekipi i “laraskave” po bën përpara në renditjen e Premier Ligës. Gjithsesi, edhe ai e di mirë se këto suksese janë arritur jo pak nga shpenzimet e mëdha të bërë falë investimeve të pronarëve të rinj, që janë sheikë të familjes mbretërore të Arabisë Saudite. Houi u ndje i ofenduar nga fjalët e Jurgen Klopit që u thanë jo për Njukasëllin, por për Mançester Sitin. “Ka klube që mund të bëjnë ç’të duan, – tha Klopi, – e kam fjalën financiarisht. Mund të marrin çdo lojtar që të duan”. Është e disata herë që trajneri i Liverpulit lëshon “kunja” ndaj Sitit që financohet nga sheikë të Lindjes së Mesme, por meqë edhe Njukasëlli është “binjak” me kampionët, qenka ofenduar edhe Edi Houi, madje më shumë sesa Pep Guardiola.

Sfidanti.al