Duan Harri Kejnin? Përse Totenhemi kërkon 200 milionë paundë për yllin?!

Presidenti Daniel Levi mund të ketë cene plot, por ka një të mirë të paktën. Kreu i Totenhemit është tepër realist, qoftë edhe në përgjithësi, dhe duke kuptuar se nuk do të mund ta mbajë Harri Kejnin kundër dëshirës, ka vendosur një çmim për kartonin e tij. Sulmuesi kryesor është në moshën kritike të karrierës, 25-26 vjeç, ndaj duhet të largohet nëse dëshiron të fitojë trofe në karrierë, ose të qendrojë nëse ndjen se personifikim Totenhemin.

Mediat angleze njoftojnë se Levi ka vendosur çmimin 200 milionë paundë stërlina për kartonin e kapitenit të Anglisë, dhe këtë jo për të shkurajuar pretendentët, por për të fituar maksimalisht. Kejni pëlqehet nga Mançester Junajtidi, por edhe nga Reali i Madridit, pse jo edhe nga Juventusi. Vetë sulmuesi ka folur këto ditë duke lënë të nënkuptohet se mund të largohet dhe kjo thuhet se e ka zemëruar Levin. Për më tepër, Spërsat kanë gati 640 milionë paundë stërlina borxhe për stadiumin e ri, si dhe mbi 80 milionë paundë stërlina detyrime ende të papaguara nga transferimet e mëparshme. Kjo do të thotë se 200 milionë paundë për Kejnin do të bënin shumë punë.

Sfidanti.al