Dortmundi ndjen terrorin; luan me një portë, por humbet!

Borusia e Dortmundit ndjeu pasojat e mbrëmjes së tmerrshme të së martës, duke e humbur ndeshjen e luajtur 22 orë më vonë ndaj Monakos në Champions. Përfundoi 3-2 për miqtë në “Signal Iduna Park”, në një ambient të kontrolluar me masa të forta sigurie, ku dominimin e lojës e patën vendasit. Talenti i Monakos, Mbape shënoi dy gola, një tjetër e shkaktoi autogol Bender, ndërsa për Borusian shkurtuan diferencën në 1-2 dhe 2-3, përkatësisht Dembele dhe Kagaua. Kjo do të thotë se të besuarit e trajnerit Tuhel, edhe pse nuk janë aspak favoritë, mund të luajnë për kualifikim në ndeshjen e dytë në Principatë.

Ndeshja filloi me lojtarët vendas të veshur me fanela me numrin 5 dhe me emrin e Mark Bartrës së plagosur. Dortmundi bëri më shumë se dyfishin e pasimeve të Monakos, gjuajti dyfishin drejt portës, pati 69 për qind të mbajtjes së topit dhe goditjet nga këndi i kishte në favor 7-1. Veçse, nuk qe në gjendje të shënonte gol kur duhej, përballë një skuadre të vendosur mirë në mbrojtje nga trajneri Zhardim. Francezët mund të ankohen sepse kur rezultati ishte 0-0, ata humbën një 11-metërsh me anë të Fabinjos, por gjithsesi fituan.

Pasi eleminuan Mançester Stin, ata janë pranë një tjetër mrekullie dhe kualifikimit për në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, për herë të parë që nga viti 2004. Kryesuesit e kampionatit francez janë ekipi që shënon më shumë gola në Europë, dhe këtë standard e ruajtën edhe në “Signal Iduna Park”, veçse duke qenë më poshtë se Dortmundi me nivel loje.

Sfidanti.al