Dortmundi me dorë të hekur: Obamejang, disiplinë ose jashtë!

Ikën apo nuk ikën kjo ka pak rëndësi. Durimi i Dortmundit ka ardhur deri aty ku nuk mban më dhe Pjer-Emerik Obamejangu ka marrë një ultimatum. Trajneri Shtëger ka deklaruar se “Oba duhet të respektojë disa rregulla të caktuara, ashtu si çdo lojtar dhe si secili prej nesh, ndryshe do të mbetet jashtë skuadrës”. Sulmuesi nga Gaboni nuk e kaloi mirë as kur trajner ishte Tomas Tuhel, as me Peter Boshin e shkarkuar dhe as tani me ish-trajnerin e Këlnit, Shtëger. Pra, mesa duket fajin duhet ta shohë në pasqyrë.

Obamejang nuk luajti në barazimin 0-0 të Borusias me Volfsburgun në Bundesligë dhe pritet të mos përfshihet në ekip nëse nuk kërkon falje dhe nuk ndryshon sjelljen. “Fola me të përpara ndeshjes, – pohoi Shtëgeri, – por, kuptova se nuk ishte i përqëndruar sa duhet”. Sulmuesi 28-vjeçar është një futbollist i shkëlqyer, por rrezikon jo pak në karrierë, edhe pse e kërkojnë shumë klube, jo vetëm në Kinë, por edhe në Europë, me Arsenalin që duket si i interesuari kryesor.

Sfidanti.al