Në fushë dilet vetëm për të fituar, edhe në kushte të vështira. Skënderbeu do të ndeshet me Jang Bojsin e Zvicrës në një moment jo shumë të përshtatshëm, sipas trajnerit Ilir Daja, edhe pse do të kërkohet maksimumi nga ndeshja e dytë në Ligën e Europës. Luhet në “Elbasan Arena”, përpara tifozëve korçarë, dhe nuk mund të bëhet figurë e keqe, por probleme ka disa.
Skënderbeut do t’i mungojnë lojtarët e mbrojtjes, Osmani dhe kroati Radas, ndërsa edhe dy futbollistë të tjerë nuk janë në formë maksimale. Nimaga e Muzaka sapo janë kthyer nga dëmtimet. Për fat, i rikthyer është edhe Jashanica që do të jetë në mbrojtje.
Shqetësimi tjetër i trajnerit Daja është se ndeshja ndaj Jang Bojsit vjen në një moment të papërshtatshëm të sezonit. Të shtunën, Skënderbeu luajti në Korçë ndaj Partizanit, ndërsa të hënën që vjen do të jetë në fushën e Kukësit, të dy rivalë për titullin kampion, dhe shpenzimi i energjisë është i madh. Daja nuk ngurron të thotë se objektivi kryesor i sezonit është Superliga, ndërsa Liga e Europës vjen vetëm e dyta.
Gjithsesi, skuadra shqiptare do të luajë në sulm, me tre lojtarë ofensivë dhe vëmendja do të jetë plotësisht tek ndeshja ndaj Jang Bojsit. Daja e ka studiuar kundërshtarin, dhe e quan të fortë e agresiv, por gjithsesi, fitoren nuk e quan të pamundur.
Sfidanti.al