Dilema quhet Odise Roshi! Të jesh apo të mos jesh në Kombëtare?

Cili nga nga talentet më mbresëlënës të Kombëtares  është lojtari më i eksperimentuar nga trajnerët? Këtë radhë pyetja nuk është me spec,  sepse  emri i Odise Roshit  të vjen në mend i pari dhe me trajner Edi Rejën, sulmuesi  është zhytur edhe më thellë  në mega-epruvetën kuqezi. Nëse do ta pyesnim Odise Roshin se  cila vuajtje është  më e durueshme : kur nuk grumbullohet fare apo kur e  shtrëngojnë të luajë mbrojtësi i djathtë, futbollisti do të preferonte..të mos ishte.  Siç ka ndodhur këtë herë me listën e futbollistëve që janë thirrur për ndeshjen me Anglinë…

Të jesh apo të mos jesh?  Qënka më mirë..edhe të mos jesh! Askush nuk e harron atë ditë zullumi ( ishalla e ka bërë me kokën e vet)   per trajnerin  Reja, që e damkosi si mbrojtës të djathtë, për t’i “dhuruar” fajësine e golit të pësuar tamam nga ana e tij.  Odise Roshi nuk është preferuar në listën e Kombëtares kundër Anglisë edhe për një arsye italiane…sepse profesor Reja i ka shpallur  garë, në distancë kohore,  ish-trajnerit  rekordmen të Kombëtares, Xhani De Biazin, për të tejmbushur listat e Kombëtares me  “talente” të reja në çdo ndeshje.

Fakti që Roshi harrohet apo shpërfillet  shpesh nga trajneri Italian, që erdhi me nofkën reklamuese se ka peshën e përvojës së “mbi 1000 ndeshjeve në Serinë A”, vërteton teorinë jokonspirative se  duhet edhe një talent tjetër, ndryshe nga ai i Roshit, për të merituar emrin në listë. Pale kur flitet për ndeshjen me Anglinë!  Na duket Kombëtarja si një Parti më shumë,  që nga ethet për “zgjedhje të senatorëve ” , nuk mjafton as nata për të kopsitur emrat që quhen talente ..në një ekip pa talent!

Sfidanti.al