“Dhe i vetëm, trim në luftë”, Edi Reja nuk ka ndërmend të ndryshojë mendje!

Kritikat ishin të shumta për zgjedhjet që bëri në Islandë. Gjithsesi, trajneri i kombëtares Edi Reja mund të mos bëjë shumë ndryshime në filozofinë e tij të lojës edhe për ndeshjen e nesërme ndaj Izraelit. Shqipëria luan këtë të premte në 20:45” në “Arenën Air Albania” për Ligën e Kombeve, dhe besohet se tekniku italian të mbajë në mesfushë sërish Abrashin e Gjasulën, ashtu si në Rejkjavik. Ekziston mundësia që të aktivizohet Kristjan Asllani, por kjo mbetet alternativë, ndëras kritikat ndaj Rejës ishin pikërisht se u mbështet tek lojtarët e fortë që dinë të mbrojnë, dhe jo tek futbollistët me cilësi teknike që dinë të organizojnë lojën.

Për Nedim Bajramin nuk duket se bëhet fjalë as këtë herë. Kombëtarja nuk do të ketë ndryshime në portë, ku do të jetë kapiteni Berisha, dhe në mbrojtje me treshen Ismajli-Kumbulla-Gjimshiti. Gjithsesi, mund të ketë skemë tjetër, me mesfushë me 4 lojtarë dhe me Endri Çekiçin pas dy sulmuesve. Edhe për repartin ofensiv gjithashtu, tekniku veteran ka dyshime dhe nuk dihet nëse në fushë do të jetë dyshja Seferi-Cikalleshi si në Islandë, apo dyshja tjetër Broja-Uzuni. Ekziston mundësia që të ketë edhe një kombinim tjetër mes këtyre lojtarëve. Shqipëria ka 1 pikë në grup pas barazimit 1-1 me Islandën, po aq sa edhe Izraeli që barazoi 2-2 gjithashtu me islandezët.

Formacioni i mundshëm (3-4-1-2):  Berisha Ismajli Kumbulla Gjimshiti Balliu  Abrashi Gjasula (Asllani) Hysaj Çekiçi Seferi (Broja) Cikalleshi (Uzuni)

Sfidanti.al