“RoRi” apo “RiRo” nuk bën asnjë dallim. Në 10 vitet e fundit, Bajerni është quajtur skuadra e Frank Riberisë, ndërsa në 8 sezonet e fundit, ka qenë edhe ekipi i Arjen Robenit. Pasi krijuan një epokë të madhe me bavarezët, duke fituar gjithçka, yjet e vjetër duket se do t’i lenë dalë nga dalë skenën yjeve më të rinj, edhe pse do të vazhdojnë ta veshin fanelën e Bajernit. Është detyra (shumë e vështirë) e trajnerit Karlo Ançeloti që të bëjë këtë kalim brezash, ndërsa Kingsli Koman dhe Serg Gnabri janë parashikuar si zëvendësuesit e tyre.
Riberi ka fituar deri tani 19 trofe në Mynih, ndërsa Roben 16, francezi ka shënuar 87 gola në 272 ndeshje, ndërsa holandezi 90 gola në 151. Bajerni, me ta në ekip doli tri herë në katër vjet në finalen e Championsit, ndonëse e fitoi vetëm një herë në “Uembli” në 2013. Po ashtu, fitoi 6 tituj në Bundesligë, 4 kupa të Gjermanisë. Në total, në të gjitha kompeticionet, ata kanë luajtur së bashku 609 ndeshje, kanë shënuar së bashku 242 gola dhe kanë dhënë 260 asiste për Bajernin. Tashmë, kjo mrekulli do të përfundojë, por jeta do të vazhdojë dhe Bajerni do të mbetet sërish i madh.
Sfidanti.al