Shqipëria ka mbyllur konkurrimin e saj në Kampionatin Botëror të peshëngritjes që po mbahet në Phuket të Tajlandës. Briken Calja ka bërë një paraqitje të mirë, duke treguar përmirësim të ndjeshëm në raport me garat e fundit, por pa mundur që të lerë shumë gjurmë. 34-vjeçari kuqezi e nisi konkurrimin nga Bateria B e peshave 73 kg, duke e mbyllur Botërorin në vendin e dhjetë, në shkëputje, shtytje, dhe dygarësh. Calja regjistroi 152 kg në stilin e shkëputjes, 181 kg në stilin e shtytjes, duke e mbyllur dygarëshin me 333 kg, me vend të dhjetë të trefishtë. Ndonëse nuk vinte në gjendjen e tij më të mirë, në luftë me rënien nga pesha dhe me problemet fizike, Calja e përmirësoi me 5 kg rezultatin total të Kampionatit Europian që u mbajt gjatë muajit shkurt në Bullgari. Por rezultati 333 kg mbetet larg maksimumit të shtërmenasit, i cili 3 vite më parë regjistronte 342 kg, duke tronditur botën me medalje ari dhe argjendi në Botëror. Kujtojmë që Botërori i Tajlandës ishte edhe eventi i fundit kualifikues për në Lojërat Olimpike, ndërsa Shqipëria aktualisht mbetet jashtë normës për “Paris 2024”. Calja renditet në i 13-ti në ranglistë dhe shanset për një biletë kualifikuese me normë për të në Paris tashmë janë thuajse zero. Kampioni ynë provoi deri në fund për të prekur për herë të katërt ëndrrën olimpike, madje duke sakrifikuar edhe aspektin financiar. Ai nuk bëri kompromis, duke filluar që nga Europiani, teksa zgjodhi të masë forcat në peshë olimpike dhe me konkurrencë të jashtëzakonshme, me qëllimin e vetëm për të kapur normën e “Paris 2024”. Tashmë për herë të parë pas 24 vitesh Shqipëria nuk arrin të kapë asnjë normë olimpike me peshëngritjen, një tregues i qartë i momentit të vështirë që po kalon sporti i shtangës në vendin tonë. Briken Calja dhe Erkand Qerimaj për gati dy dekada kanë mbajtur lart ngjyrat kuqezi me rezultate historike, por ata nuk janë të përjetshëm në sport, ndërsa tashmë peshëngritja shqiptare duket në pikën zero, për t’u rinisur me talente si Ertjan Kofsha, Kristi Ramadani apo Enkileda Carja.
sfidanti.al