Manchester City mposhti thellë (4-1) Aston Villan. Fitore e një rëndësie të madhe, që i mundëson skuadrës së Pep Guardiolas të qëndrojë në garë për titullin e radhës në Premier League. Me Erling Haaland në pankinë, në qendër të vëmendjes ishte Phil Foden, autori i një tregolëshi të jashtëzakonshëm, që shoi ambiciet e skuadrës nga Birminghamit për rezultat pozitiv. Një performancë monstruoze nga djali i rritur në sistemin zinxhir të “Citizens” dhe që në moshën 23-vjeçare tashmë ka regjistruar shifra mbresëlënëse me fanellën e kaltër. Me tre golat e shënuara kundër Aston Villas, Foden shënoi “hat-trick”-un e tretë të karrierës së tij, para se të mbushte 24 vjeç. Vetëm Robbie Fowler (7), Michael Owen (7), Harry Kane (6) dhe Erling Haaland (5) kanë regjistruar statistika më të mira në moshën e tij. Tregolëshi ndaj “Villans” i dha mundësinë Fodenit të shënojë një tjetër statistikë të rëndësishme: këtë sezon në të gjitha garat ka shënuar 21 gola dhe ka dhënë 10 asistime. Është lojtari i pestë, ndër ligat kryesore evropiane, që shënon të paktën 20 gola dhe të paktën 10 asistime gjatë të njëjtit sezon. Tregolëshi i tretë i karrierës së tij të re e barazon Fodenin me tre “përbindësha” që kanë shkruar historinë e Premier League-s dhe më gjerë: Frank Lampard, Cristiano Ronaldo dhe Didier Drogba. Të tre e kanë mbyllur karrierën në Angli me nga tre tregolësha.
sfidanti.al