Dëmtimet në mesfushën e Interit, Asllani projektohet titullar!

Pasi fitoi vendin si titullar në kombëtaren e Shqipërisë, Kristjan Asllani pritet të gjejë më shumë hapësira me rikthimin tek Inter. Prilli pritet të jetë një muaj i rëndësishëm për të ardhmen zikaltër të mesfushorit. Shkak është bërë situata e vështirë që paraqitet në mesfushën e Interit. Hakan Çalhanoglu u kthye i dëmtuar nga grumbullimi me Turqinë. Edhe Barrela u lëndua me kombëtaren e Italisë, ndërsa Brozoviç dhe Galiardini, i preferuar nga trajneri Simone Inzagi përpara Asllanit, nuk janë në formë të mirë. Po ashtu këta dy futbollistë janë me valixhe në duar në pritje të merkatos dhe tekniku zikaltër pritet t’i japë më shumë besim futbollistit shqiptar. Në fakt, kjo është edhe një kërkesë e klubit interist, që sheh te Asllani një futbollist ku do të mbështetet në të ardhmen. Kështu, pasi bëri një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen me Poloninë, duke nisur që nga ndeshja e kësaj fundjave kundër Fiorentinës në Serinë A, Kristjan Asllani do të ketë më shumë minuta në këmbët e tij me Interin, ndërsa nuk mund të përjashtohet edhe një vend në formacion.

Sfidanti.al