Debati që prish punë tek PSG, Mbapeja më mirë pa Nejmarin?!

Ylli brazilian nuk po luan këto kohë për shkak dëmtimi dhe sulmuesi francez ka marrë “për dore” ekipin. Kilian Mbape shënoi 3 gola në fitoren 4-1 ndaj Barcelonës në “Kamp Nou”, në mungesë të Nejmarit, dhe ka një debat të hapur tashmë në Francë sesi duhet të jetë formacioni i Paris SG. Shumëkush po sugjeron se Mbape jep më shumë rendiment nëse është në fushë pa Nejmarin, ndoshta sepse është ai pika qendrore e ekipit, udhëheq lojën dhe shokët i drejtohen atij. Në moshën 21-vjeçare kampioni i botës po cilësohet si lojtari më i mirë në planet aktualisht, që duhet të ketë lirinë e tij të plotë. Gjithsesi, kapiteni parizien, Markinjos, nuk dëshiron që të ketë debate të tilla, ose të paktën nuk u jep jehonë atyre. “Këto lloj debatesh vetëm i prishin punë PSG-së, – tha braziliani, – nuk mund të hyjmë në histori të tilla, janë idiotësi. Ku ka më mirë sesa të kemi në ekip lojtarët më të mirë, edhe Nejmarin, edhe Mbapenë. Unë mendoj se Kiliani preferon Nejin në krah”.

Sfidanti.al