Flasim për lojtarin më të mirë të skuadrës, në kuptimin që është golshënuesi numër 1. Mohamed Salah nuk po kalon një moment të lumtur tek Liverpuli, dhe zëvendësimi i tij në minutën e 62-të në humbjen ndaj Çelsit solli zemërimin e egjiptianit, si dhe pakënaqësinë e agjentit të tij. Po Jurgen Klopi çfarë thotë? Trajneri i të kuqve, i ndërgjegjshëm se sezoni po shkon shumë keq, gjithsesi ka deklaruar se do të mbështetet fort tek parimet e tij.
Njeriu që ka pasur në skuadër Levandovskin apo Gëcen, theksoi se do të sillet po njësoj. “Nuk mund të mendoj të mos e zëvendësoj një lojtar sepse për këtë gjë do të krijohet një histori në media, – tha gjermani, – unë do të vazhdoj ta zëvendësoj Salahun, apo edhe ndonjë tjetër, nëse nuk do të jenë në nivelin e duhur. Salah u zëvendësua sepse kisha frikë se mund të dëmtohej”. Klopi deklaroi se “kuptova se ai po e ndjente ritmin e ndeshjes, mund të kisha zëvendësuar ndonjë tjetër, por kishte lidhje edhe me se cilin lojtar do të aktivizoja”. “Salah ndoshta e ka gjykuar ndryshe, dakord, është e drejta e tij”, – tha Klopi. Trajneri pohon se titulli është tepër i vështirë për t’u menduar dhe shtoi se “vendi i tretë do të ishte arritje e mirë”.
Sfidanti.al