Debati i më të madhit: Pele, Maradona, Mesi!

Vështirë që njerëzit do të bien në një mendje, ndonëse ky është një krahasim që nuk qendron. E pamundur të maten me njëri-tjetrin futbollistë që nuk kanë mundur të luajnë kundër njëri-tjetrit siç janë Peleja, Maradona dhe Mesi. Këta të tre cilësohen si më të mëdhenjtë e historisë së këtij sporti dhe debati nis sërish, i nxitur nga shuarja e “Mbretit” brazilian. Dikur Pushkashi thoshte se “më i miri në histori është Di Stefano, po sa për Pelen ai është një kategori mbi atë të lojtarit”. Ata që kanë luajtur me Maradonën mbajnë Diegon mbi të gjithë, dhe po kështu bëjnë për Mesin ata që luajnë sot. Pele është i vetmi që ka fituar 3 kupa të botës, që ishte mjaft i kompletuar, që luajti 21 vjet futboll dhe shënoi 1 000 gola. Maradona ishte i vetmi që i fitonte ndeshjet vetëm dhe po ashtu titujt siç bëri me Argjentinën në 1986 në Meksikë dhe me Napolin në 1987 e 1990. Mesi është ai që ka fituar më shumë trofe, ka më shumë gola plus asistë e që ka më shumë rekorde. Vështirë të zgjedhësh mes tyre.

Sfidanti.al