Futbolli botëror ka parë shumë portierë të mëdhenj, që nga fillimet e tij deri më sot. Të paharruar janë Zamora, Planiçka, Jashini, Benksi apo Shmajkeli, sa për të përmendur disa emra, por ndër më të mëdhenjtë padyshim që duhet llogaritur edhe David De Gea. Spanjolli, ndaj Totenhemit në Londër, dha një nga paraqitjet më të mëdha të karrierës, dhe një nga ndeshjet më të jashtëzakonshme të një portieri prej shumë vitesh.
Gardiani i ardhur nga Atletiko e Madridit, bëri 11 pritje në stadiumin mitik “Uembli”, duke mos pësuar asnjë gol, e duke i dhënë fitoren 1-0 Mançester Junajtidit. Ky ishte rekordi personal i tij në karrierë dhe në Premier Ligë. Gazetat angleze i dhanë notën 9, dhe i vunë nofkën “mbinjerëzor”! Trajneri i tij, Solskjer, nuk e kurseu batutën: “Na lejohet që të kemi edhe ne një portier botëror”.
Sfidanti.al