Ylli polak kthehet në ekipin e parë: Rrogë? Jo, ju jap unë para!

“Kuba” Blashçikovski do të mbahet mend gjithnjë nga të apasionuarit e futbollit si lojtar i Borusias së Dortmundit, të drejtuar nga Jurgen Klop. Lojtari polak luajti edhe për Fiorentinën, dhe së fundmi për Volfsburgun, por nuk gjeti hapësira, dhe vendosi të kthehej në vendin e tij, tek skuadra e parë, Visla e Krakovit. Ishte Visla që e bëri të njohur, dhe 33-vjeçari nuk ia ka harruar.

Jo vetëm që “Kuba” nuk kërkoi rrogë, por edhe i dha 300 mijë euro (1.33 milionë zlloti) hua klubit të tij për ta shpëtuar nga falimentimi dhe zbritja në kategorinë e tretë. Me paratë e Kubës, Visla do të paguajë rrogat dhe detyrimet e tjera, pra do të shpëtojë.

Edhe pse sot është një futbollist profesionist, pra një milioner, Blashçikovski nuk i ka harruar fillimet e veta. Ai tregon se ka kaluar momentin e tmerrshëm kur babai i vrau nënën, por pavarësisht tronditjes së jashtëzakonshme, ai u bë më i fortë, pasi asnjë vështirësi nuk i bën përshtypje në jetë. Vlerëson lart jetën që bën sot, me mundësitë thuajse të pafundme, pasi e di se shumë nga shokët e tij në Poloni nuk kanë mundësi as të bëjnë pushimet, ndonëse punojnë gjatë gjithë vitit. Ky, pra, është Kuba Blashçikovski.

Sfidanti.al