Zhoze Murinjo duket ka nisur të lodhet pak nga profesioni i trajnerit. Në pozita të vështira në sezonin e parë në “Old Traford”, portugezi duhet të zgjidhë disa probleme, mbi të gjithë atë të kualifikimit për në Champions. Mançester Junajtid është në vendin e gjashtë dhe duhet të ngjisë të paktën dy pozicione për t’ia dalë. “Mou”, gjithsesi, kërkon të qetësojë situatën dhe thotë se edhe nëse nuk shkohet në Champions, asgjë nuk ndodh. “Junajtid është i tillë që edhe nëse nuk kualifikohet për në Champions për 4 vjet, sërish mund të konkurrojë me klubet më të mëdhenj të Europës”, – tha ai, – kjo pasi Mançester Junajtid është klub me histori të madhe”.
Junajtid mund të shkojë në Ligën e Kampionëve edhe nëse fiton Ligën e Europës, ku ndodhet në çerekfinale dhe luan kundër Anderlehtit. Trajneri duhet të zgjedhë se ku duhet të fokusohet, pasi në Champions shkohet edhe si fitues i Ligës së Europës. Gjithsesi, ai sheh një vështirësi në Angli, për të bërë llogari. “Në vendin e futbollit, – tha ai që nga Belgjika, – pra në Angli, mua do të më vrisnin nëse në një ndeshje kampionati unë do të hidhja në fushë një skuadër me rezerva për të kursyer energjitë për Europën. Por, unë mendoj se do të ishte normale të fokusoheshim në një drejtim”.
Së fundi, ai duhet të zgjidhë të ardhmen e De Geas. Portieri spanjoll po kërkohet fort nga Reali i Madridit dhe Murinjo nuk është i lumtur me këtë situatë. “De Gea duhet ta harrojë kalimin tek Reali deri në fund të sezonit, – tha Mou, – nuk më interesojnë spekullimet, por dua që lojtarët e mi të përqëndrohen tek ndeshjet”. Lajmet nga Anglia thonë se Murinjo nuk do të lejojë largimin e portierit të Spanjës.
Sfidanti.al