Këtë periudhë që Kombëtarja është larguar nga fusha, trajneri De Biazi po e shfrytëzon për t’i bërë publicitet punës së tij, që nga koha kur mbërriti në Shqipëri. Daljet në mediat italiane dhe shqiptare janë bërë shumë të shpeshta, ndërsa përmbajtja e intervistave është po e njëjta. Tekniku është fokusuar më shumë se njëherë në faktin, se si ndërtoi një skuadër, e cila në kohën e mbërritjes së tij ishte në dekadencë dhe që kulmon në suksesin e pabesueshëm, pjesmarrjen në finalet e Francës. Por sipas tij, së fundi i ka munguar fati, pasi vlerëson se me Spanjën u mund, kur ekipi që drejton mori përsipër të kontrollonte takimin, gjë që duhet verifikuar, se në cilat minuta ka ndodhur një gjë e tillë, si dhe humbja me Izraelin ishte thjeshtë aksident.
Në fakt, kjo e fundit ishte skandal, që nga mënyra se si u përgatit takimi dhe deri tek gjithçka që sajuan futbollistët dhe ai vetë gjatë atij 90 minutëshi të çuditshëm. Ndërkohë, De Biazi vazhdon të thotë, se është shumë i kërkuar në arenën europiane, por disa pankina i ka refuzuar (e fundit është ajo e Palermos), kuptohet për hir të Shqipërisë, ndërsa diku tjetër (stoli i Italisë), i kanë bërë me hile. Dhe nuk ka se si të mos mendojë edhe për axurrët, por shprehet se ka besim tek Ventura, pikërisht tek ai që i zuri ventin disa muaj më parë. Me këtë ritëm, deri në mars, do të vazhdojmë të mos shohim De Biazin trajner… por De Biaznin “rock star”.