Ç’shqetësime mund të ketë një 21-vjeçar? Mbapesë s’i mjaftojnë 27 milionë euro!

Nuk i ka parë ndonjëherë me sy, dhe as nuk do t’i shikojë. Normalisht, nuk di se çfarë mund të bëjë me to, por gjithsesi i do patjetër. Rroga e lartë për një futbollist profesionist është si teka e një fëmije, që e kërkon me patjetër diçka që i pëlqen me sy, edhe pse mund ta flakë tej sapo ta ketë në dorë. Nuk ka nevojë të shkojmë tek Majk Tajsoni, për të mësuar se çfarë bën një sportist me milionat, por le të mbetemi në ditët tona, kur një 21-vjeçari si Kilian Mbape besohet se i duket hall i madh që rroga e tij është “vetëm” 27 milionë euro (përfshi edhe shpërblimet apo reklamat). Halli më i madh është se përse ai merr gati gjysmën e Nejmarit (si rrogë), dhe disa herë më pak sesa Mesi, Ronaldo apo edhe vetë Nejmar, kur llogariten të gjitha të ardhurat. Këto histori e marrin kuptimin e tyre të plotë të kotësisë, sidomos kur i lexon tani, apo kur botohen sërish tani, në kohën që shumë njerëz vdesin se nuk kanë respirator, apo sepse nuk ka test për koronavirusin (që kushton 1.5 deri në 4 USD).

Sfidanti.al