Kristiano Ronaldo bëri xhiron e parë në “Old Traford” që pas rikthimit të tij tek Mançester Junajtidi, dhe si një kalorës përpara betejës, u shpreh pikërisht në atë që do të jetë fusha e tij e betejës. “Unë nuk jam këtu për pushime, – tha portugezi për televizionin e klubit, – unë jam gati, bashkë me shokët e mi. Ne jemi të aftë që të fitojmë. Ky është një shans i mirë për mua dhe për tifozët, për klubin që të ngjitemi edhe më lart. Mendoj se unë do të jem diçka e madhe në 3-4 vitet e ardhshme”. Ronaldo është sot 36 vjeç, por premton të jetë në nivele të larta deri kur të jetë 39 apo 40. Duke pasur afërsisht 800 gola në karrierë, pritet që ai të synojë shifrën 900 të paktën. Besohet se “Old Trafordi” me 76 000 spektatorë kapacitet do të jetë i mbushur plot që nga ndeshja e kësaj të shtune ndaj Njukasëllit, kur Ronaldo mund të bëjë debutimin në rikthim.
Sfidanti.al