Mundësia për të marrë Harri Kejnin u largua përfundimisht, por tek Reali ka një shqetësim më të madh për momentin, ai i trajnerit. Largimi i Zinedin Zidanit ishte jo vetëm një rrufe në qiell të pastër, por edhe një tronditje mesa duket afatgjatë. Ka kaluar më shumë se një javë që kur francezi i famshëm dha dorëheqjen, dhe klubi i presidentit Florentino Perez nuk ka “qullosur” gjë për të gjetur një zëvendësues. Maurisio Poçetino i Totenhemit, favorit për Perezin, nuk pranoi, dhe kur një gazetar i tha se “kur të kërkon Reali nuk mund ta refuzosh”, argjentinasi u përgjigj: “Ky është mendimi juaj, jo i imi”.
Masimiliano Alegri po ashtu ktheu kurrizin duke shprehur besnikëri ndaj Juventusit, trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, ka hedhur poshtë kategorikisht që të shkoj në “Bernabeu”, ndërsa për Jurgen Klopin, Perezi as ka guxuar t’i bëjë ndonjë telefonatë, sepse e di se gjermani nuk do të pranojë. Nuk dihet sesi do të shkojë “telenovela” me Konten, por ka diçka që po torturon edhe Realin, edhe pretendentët e stolit, autonomia e kufizuar e punës së trajnerit në klubin më të madh të futbollit në botë.
Mediat jo më kot shkruan se kjo ishte arsyeja që Zidan “i bëri sh… bahçes” (nëse përdorim një batutë të një filmi shqiptar). Kjo mesa duket është arsyeja që trajnerë me personalitet të fortë si Klop, Poçetino, Lëv apo Alegri, nuk duan të angazhohen, dhe prandaj Konte po përtypet. Florentino Perez gjithnjë ka dashur një trajner që ta komandojë ai për blerjet, pasi klubi madrilen, sipas presidentit, është një biznes dhe jo vetëm një klub futbolli. Jo më kot, Perezi ka shkarkuar 11 trajnerë në 13 vjet. Aktualisht, Reali mund të jetë i detyruar të caktojë ose një trajner të papunë, ose një të sektorit të të rinjve.
Sfidanti.al