Tajson Fjuri e ka një pengesë të parë në rrugën drejt rikthimit për tek lavdia e boksit profesionist. Britaniku shtatlartë do të ndeshet këtë fundjavë me shqiptaro-zviceranin, Nuri Seferi, në “Arenën e Mançesterit”. Dy boksierët e peshave të rënda nuk kanë si bëhen më të ndryshëm, dhe kjo u vu re qartë gjatë peshimit. Shqiptari 41-vjeçar nga Maqedonia peshoi vetëm 96 kg ndaj mbi 126 kg të Fjurit. Pasi hipën mbi peshore, anglezi 29-vjeçar e mori në krahë Seferin, por pastaj edhe shqiptaro-zvicerani iu përgjigj me të njëjtën “monedhë”.
Diferenca e madhe mes tyre u pa sidomos për shtatlartësi, kur qendruan ballë për ballë, pasi Seferi është vetëm 1.55 metra, ndërsa Fjuri plot 2.06. Natyrisht, parashikimet janë të gjitha për ish-kampionin e botës, që bashkoi brezat e artë në vitin 2015 (WBA, IBF, WBO, IBO) pasi mundi Vladimir Kliçkon. Gjithsesi, që nga ajo kohë, Fjuri u largua nga boksi dhe bëri një jetë të shthurur. Tani, i janë kthyer “mendtë” dhe kërkon të jetë sërish kampion i botës, veçse përpara sesa të ndeshet me Xhoshuan apo Ualderin, duhet të “lajë hesapet” me Seferin, që në karrierë ka 39 fitore e 8 humbje, ndërsa ka qenë disa herë kampion i Europës.
Sfidanti.al