Sloun Stefens e Xhozi Altidor, çifti i ri sportiv i modës në SHBA!

Ajo është teniste për momentin nga më të mirat në botë, ndërsa ai është futbollist aktualisht në kombëtare. Të dy janë amerikanë, dhe Sloun Stefens e Xhozi Altidor po luftojnë për të fituar statusin e çiftit më të njohur të sportit në SHBA. Ndihmën më të madhe, tani, po e jep vajza 25-vjeçare që sapo ka arritur në finalen e “Rolan Garosit”. Sloun pati një itinerar triumfal duke humbur vetëm një set që nga raundi i parë deri në finale, e duke mundur me radhë polaken Freç, italianen Xhorxhi (me të cilën humbi setin), estonezen Kontaveit, rusen Kasatkina dhe patrioten e saj amerikane, Medison Kejs.

Në finale, ajo do të ndeshet me numrin 1 të botës, rumunen Simona Halep, e cila pati suksese të rëndësishme duke mundur gjermanen Kerber dhe spanjollen Muguruza. Gjithsesi, Stefens u bë e famshme vitin e kaluar kur fitoi US Openin, ndërsa Halep ende nuk ka fituar ndonjë titull të madh.

Altidor është sulmues i Torontos në Ligën Profesioniste Amerikane, ndërsa ka shënuar 41 gola në 110 ndeshje për kombëtaren e SHBA-së. Sulmuesi shtatlartë 1.85 metra formon një çift shumë të bukur me vajzën 1.70 metra, ndërsa shpresa është që sukseset në 2018 të jenë sa më të mëdha. Çiftit po ashtu nuk i mungojnë paratë, pasi Altidor ka një rrogë mbi 2 milionë dollarë në vit, ndërsa Stefens ka fituar 1.6 milionë dollarë deri tani në 2018.

Sfidanti.al