Çmendet Atletiko, “bardhekuqtë” shpërfytyrojnë Vajekanon e Ivan Balliut

Fitorja pritej, por jo aq e thellë. Gjithçka ka shkuar në mënyrë perfekte për “bardhekuqtë” e Atletiko Madrid, të cilët kanë fituar në transfertën jo pak të vështirë të Rajo Vajekano, me rezultatin turpërues 0 me 7, duke tronditur jo pak skuadrën e Ivan Balliut.

Sipari i golave u hap që në minutën e 2’-të të sfidës, me francezin Antuane Griezman që mposhti portierin Dimitrievski, me një goditje fantastike nga brenda zonës. Pas golit të francezit, Aletiko arriti të shënojë dhe 2 herë në portën e vendave, fillimisht me Memfis Depaj, në minutën e 16’ e më pas me Nahuel Molina, në minutën e 36’-të. Me fillimin e pjesës së dytë, djemtë e Simeones arritën të shënonin dhe plot 4 herë të tjera në portën e kundërshtarëve, fillimisht me “bomberin” spanjoll, Alvaro Morata, i cili shënoi një dopietë në minutat 73’ e 84’, e më pas Angel Korrea e Markos Lorente, në minutat 76’ e 86’, për të vulosur rezultatin e përgjithshëm 0 me 7.

Me këtë fitore Atletiko ngjitet në vendin e 2-të të renditjes, vetëm 2 pikë më pak se “galaktikët” e Real Madrid dhe javën e ardhshme do të presë në “Wanda Metropolitano”, “andaluzianët” e Sevija. Në krahun tjetër, Vajekano mbetet në kuotën e 6 pikëve dhe javën e ardhshme do të udhëtojë në transfertën e vështirë të Real Betis.

 

sfidanti.al