Presidenti Duka ka qene i ftuar ne emisionin “Skaner”. Ja fjalwt e tij : “Humbja ishte e rëndë por në futboll mund të ndodhë çdo gjë. Në fitore jemi të gëzuar, ndërsa në humbje hedhim poshtë gjithçka. Analizat duhet të jenë dashamirëse. Të mos jemi shkatërrues me analizat. Ka disa segmente që shfaqin xhelozi personale. Analizat për komëbtaren të jenë sportive.
Kemi një skuadër të konsoliduar. Kam dëgjuar të thuhet që janë të përçarë, por nuk është aspak e vërtetë. Nuk mund të kryqëzojmë trajnerin. Duhet të korrigjojmë gabimet dhe jo të kryqëzojmë. Skuadra nuk ishte e mbingarkuar psikologjikisht, por ishte e papërgatitur për të përfunduar në një situatë të tillë me 2 lojtarë më pak.
Mungesa e Lorik Canës normalisht që ndihet në skuadër, por edhe kapiteni aktual, Agolli, është një djalë i shkëlqyer që di ta bëjë si duhet këtë detyrë. Berishën nuk e justifikoj për kartonin e kuq që mori, por vendimet e arbitrit karshi nesh ishin të drejta. Arbitri ka gabuar vetëm në pjesën që u tregua më tolerant ndaj Izraelit.
Me De Biazin kam marrëdhënie pune shumë korrekte. Nuk kam ndërhyrë kurrë në zgjedhjet e tij, edhe pse mund të mos jem dakort. Në ndonjë rast rezulton që kam unë të drejtë, por në shumicën e rasteve del që të drejtë ka trajneri.
Pas ndeshjes me Izraelin i kam kërkuar trajnerit të mos e harrojnë humbjen me Izraelin, por të përqëndrohen te Italia dhe të përgatiten sa më mirë. Skuadra po bën paraqitje më të mira se në Europian nëse shikojmë statistikat. Nuk i kam vendosur ultimatum trajnerit, për mendimin tim është gjëja më e gabuar që mund të bëhet në futboll.
Ndeshja na u kërkua nga autoritetet e sigurisë që ose të zhvendosej nga Shkodra, ose të anulohej. Vetë ministri Saimir Tahiri garantoi FIFA-n për kushtet e sigurisë në këtë takim duke bërë të mundur zhvillimin e ndeshjes. Nuk ishte e lehtë të organizohej një ndeshje në këto kushte, sidomos për një federatë të vogël si e jona.”