Cikalleshi nuk është larg Ronaldos, vetëm dy gola e ndajnë nga legjenda!

E pret në mënyrën më të mirë përballjen e madhe. Sokol Cikalleshi do të jetë në 8 maj në fushë kundër Kristiano Ronaldos, dhe bëri provën gjenerale në sfidën e fituar jashtë fushe. Sulmuesi i kombëtares shënoi 2 gola për Al Halixhin, që triumfoi 3-0 në stadiumin e Al Fajhasë. Fillimisht, ai përfitoi nga një 11-metërsh, ndërsa vulosi rezultatin në minutën 67-të. Tashmë, Cikalleshi ka 10 rrjeta këtë sezon të Ligës Profesioniste saudite duke qenë një nga sulmuesit më të mirë, me vetëm 2 gola më pak sesa Ronaldo. Po ashtu, 32-vjeçari po përpiqet të ndihmojë Al Halixhin që të mbijetojë në elitë, edhe pse për momentin ndodhet në vendin e parafundit, në zonën e rënies një kategori më poshtë. Ekipi i Cikalleshit është 4 pikë larg shpëtimit, por ka një ndeshje më shumë për të luajtur sesa rivalët direktë. Në 8 maj, Al Halixhi do të shkojë në fushën e Al Nasrit, ekipit të CR7-ës, ndërsa në 2 maj ka një tjetër sfidë në ligë.

Sfidanti.al