Partizani, kampioni i ri i vendit në volejboll për femra!

Është padyshim një rikthim i madh. Edhe pse nuk cilësohej favorit që nga fillimi i sezonit, sërish Partizani fitoi titullin në volejboll për femra. Ia doli përballë atij ekipi që ishte kampion në fuqi, Skënderbeut të Korçës, dhe që kishte triumfuar në të gjitha konkurrimet e tjera këtë edicion. Gjithçka u vendos në ndeshjen e pestë dhe të fundit të mundshme të plej ofit, me vajzat e kuqe që triumfuan 3-1 ndaj korçareve. Rezultatet e seteve treguan epërsinë e skuadrës vendase, 25-21, 20-25, 25-18 dhe 25-15. Meritë e plotë e kryeqytetaseve që u shpallën kampione për herë të pestë në histori. Tashmë, edhe Partizani ka krijuar një traditë në volejbollin e femrave, ndonëse nuk ka emrin dhe fitoret e Dinamos, Tiranës apo edhe Skënderbeut. Gjithsesi, skuadra korçare ka arritur triumfe edhe ajo këtë vit. Skënderbeu e mundi Partizanin në disa finale, në atë të Kupës së Shqipërisë dhe të Ligës Gjergj Kastrioti, e po ashtu edhe në Superkupë.

Sfidanti.al