Kujton edhe vitin 1987 kur Rabah Madjer dhe Zhuari (pa harruar Paulo Futrenë) shtrinë përtokë Bajernin dhe fituan Kupën e parë të Kampionëve për portugezët. Kjo ishte një tjetër mbrëmje e madhe për Porton, një ekip klasik i kontinenti, që ka ditur të mposhtë gjigandët bavarezë, Mançester Junajtidin e tani edhe Juventusin. E gjitha kjo, edhe pse luajti që nga minuta e 54-ët me 10 lojtarë, pra për gati 70 minuta!
“Zonja e Vjetër” sërish nuk ia doli, ndërsa nuk arrin ta kuptojë se përse. Një eleminim i dytë radhazi në turin e dytë, pas atij me Lionin, pavarësisht heroizmit torinez deri në sekondat e fundit të 120 minutave ndeshje në stadiumin “Alianc”. Përfundoi 3-2 për italianët, por u kualifikuan portugezët me rezultatin e përgjithshëm 4-4, falë më shumë golave në fushë kundërshtare. Një duel i vërtetë Championsi, që i pëlqeu gjithkujt me përjashtim të tifozëve juventinë që nuk po provojnë dot kënaqësinë sublime të fitores së Championsit. Trajneri Andrea Pirlo është nën “lupë”, ndonëse nuk pritet që drejtuesit të nxitohen për ta larguar, madje as nëse humb kampionatin, të cilin duket se Interi e ka fituar.
Kristiano Ronaldo është padyshim i zhgënjyeri i madh. Ai deshi një trofe tjetër me Juven, pas atij që fitoi me Mançester Junajtidin dhe 4 me Realin, por pas 3 vjetësh po sheh se “Zonja e Vjetër” nuk është vendi i duhur për këtë. Në 2019, eleminimi erdhi nga Ajaksi në çerekfinale, në 2020 nga Lioni, dhe tani nga Porto. Njeriu i mësuar me tituj e me finale, tani nuk po arrin dot as ndër katër më të mirët. Po ashtu, kundër Portos nuk la dot shenjë, nuk shënoi dot asnjë gol, por 36 vjet mbi shpinë nuk janë pak, ndërsa as shokët e skuadrës nuk e ndihmuan.
Juventus-Porto 3-2 (1-2)
Serzhio Oliveira 19’ (p), Kieza 49’, Kieza 63’, Serzhio Oliveira 115’, Rabio 117’; Taremi kk 54’
Sfidanti.al