Në Premier Ligë janë vetëm dy njëra pas tjetrës. Për një ekip që dy sezonet e kaluara ishte mësuar të mos humbiste praktikisht asnjëherë pikë, kjo e këtij edicioni ishte një ëndërr e keqe që duket se po merr fund. Suksesi 3-0 në fushën e Arsenalit ishte e katërta fitore radhazi në vitin futbollistik, pas atyre 2-0 ndaj Lajpcigut, 1-0 në fushën e Uolvesit dhe 2-0 po ndaj Lajpcigut në Champions. Kjo ishte edhe fitorja më domethënëse, më e thella, dhe me lojën më bindëse. Mesa kuptohet skuadra e trajnerit Jurgen Klop po kthehet aty ku ishte në fund të vitit të kaluar, edhe pse nuk mund ta kthejë kohën mbrapa, pra nuk mundet që të mendojë për titullin.
Golat e shënuar në “Emirejts” nga Diogo Zhota, Mohamed Salah dhe sërish Diogo Zhota, thjesht po ndihmojnë që të ketë shpresë për të hyrë në katërshen e parë të renditjes, pra për të siguruar kualifikimin në Champions nga kampionat sezonin që vjen. Kjo mund të bëhet edhe nëse Liverpuli del kampion i Europës, por nuk është aq e lehtë, duke nisur që nga çerekfinalja me Realin. Zhota, autor i dy golave. “Ne duhet të fitojmë çdo ndeshje që tani deri në fund, – deklaroi Zhota, lojtari-kyç që nga kthimi nga dëmtimi, – nëse bëjmë punën tonë kemi mundësi të mëdha të jemi në Champions. Kam qenë i dëmtuar, por shpresoj që të kontribuoj për skuadrën deri në fund të sezonit”.
Sfidanti.al