Njëzetetetë gola në 8 ndeshje mund të quhen “të korra të mbara”. “Kooperativa” më e lumtur në Ligën e Kampionëve ishte Bajerni, edhe pse Arsenali arriti fitore më të thellë. Bavarezët patën një sfidë klasike me PSV Ajndhovenin, edhe pse kampionia holandeze është tepër larg forcës së viteve 80-të. Skuadra e Karlo Ançelotit, nën kritika të ashpra kohët e fundit, reagoi duke triumfuar 4-1. Tomas Myler më në fund realizoi këtë sezon, mbrojtësi çudibërës Xhoshua Kimih shënoi golin e dytë, ndërsa Levandovski e Roben larguan frikën që erdhi pasi PSV shkurtoi diferencën me anë të Narsingut. Gjithsesi, në krye të grupit D ndodhet Atletiko që ka 9 pikë të plota, pas fitores 1-0 në Rusi ndaj Rostovit, me gol të Karraskos. Bajern ka 6 pikë, PSV e Rostov nga 1.
Arsenali realizoi 6 herë në portën e Ludogorecit, kampiones së Bullgarisë. Heroi ishte Mesut Ozil me 3 rrjeta, ndërsa më herët epërsinë në “Emirejts” e krijuan Aleksis Sançez, Teo Ualkot e Aleks-Okslejd Çembërlen që në pjesën e parë. Lojtari i kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka, pati një mbrëmje për t’u harruar pasi Bazeli u mposht 0-3 në Francë nga Paris SG. Edhe pse kampionia e Zvicrës goditi dy herë shtyllën, francezët shënuan golat me autorë Angel Di Marinë, Lukas Murën dhe Edinson Kavanin me penallti. Arsenali e PSG janë thuajse të kualifikuar me nga 7 pikë, ndaj 1 të rivalëve të tjerë.
Elseid Hysaj nuk luajti, por nuk ishte ai arsyeja që Napoli u mposht nga Beshiktashi brenda në Itali. Lojtari i kombëtares ka qenë dobët, por edhe shokët e tij nuk u paraqitën më mirë. Turqit fituan 3-2 në “San Paolo” duke qenë gjithnjë në avantazh. Adriano, Abubakar dhe sërish Abubakar shënuan për Beshiktashin, ndërsa Mertens e Gabiadini barazuan dy herë përkohësisht. Edhe ndeshja tjetër ishte fitore e miqve në grupin B. Benfika i qendroi besnike emrit historik duke triumfuar 2-0 në Kiev ndaj Dinamos vendase. Në “Stadiumin Republikan” realizuan Eduardo Salvio me penallti dhe Franko Servi. Napoli mbetet në krye me 6 pikë, Beshiktashi ka 5, Benfika 4 dhe Dinamo vetëm 1.
B. Kuka